Lajme

Pse është e rëndësishme të mbani softuerin tuaj të përditësuar për sigurinë kibernetike?

Pse është e rëndësishme të përditësoni softuerin tuaj?

Përditësimet e softuerit janë thelbësore për sigurinë dhe performancën e pajisjeve dhe aplikacioneve që përdorni. Ato ju mbrojnë nga kërcënimet kibernetike, përmirësojnë përvojën e përdoruesit dhe sigurojnë që softueri të jetë i përputhshëm me sisteme të tjera. Më poshtë janë disa përfitime dhe këshilla për të mbajtur softuerin tuaj të përditësuar.

Përfitimet e përditësimeve të softuerit
  • Siguri më e lartë: Shumica e përditësimeve përmbajnë rregullime për dobësi që mund të shfrytëzohen nga hakerët për të hyrë në sistemin tuaj apo të dhënat personale. Me përditësime të rregullta, zvogëloni rrezikun nga sulmet kibernetike dhe mbroni të dhënat tuaja personale dhe të biznesit.
  • Përvojë më e mirë përdorimi: Përditësimet nuk lidhen vetëm me sigurinë — ato sjellin funksionalitete të reja, shpejtësi më të madhe, më pak defekte dhe stabilitet më të mirë të aplikacioneve. Përmes tyre, përfitoni një përdorim më të qetë dhe më efikas të pajisjes tuaj.
  • Përputhshmëri me pajisje dhe programe të tjera: Përdorimi i softuerëve të vjetruar mund të shkaktojë probleme përputhshmërie. Për shembull, një shfletues i papërditësuar mund të mos hapë disa faqe interneti. Po ashtu, aplikacione të vjetruara mund të mos sinkronizohen me pajisjen apo ruajtjen në cloud. Përditësimet ndihmojnë që gjithçka të funksionojë siç duhet me sistemet e tjera.
Këshilla për përditësime të softuerit
  • Aktivizoni përditësimet automatike: Shumica e aplikacioneve ofrojnë mundësinë për të shkarkuar dhe instaluar përditësimet automatikisht. Kjo është mënyra më e lehtë për të qenë gjithmonë i përditësuar pa e kontrolluar manualisht.
  • Kontrolloni rregullisht për përditësime: Nëse preferoni t’i bëni vetë përditësimet, krijoni zakon që t’i kontrolloni shpesh në menutë “Settings”, “Help” ose “About”. Mund të vizitoni gjithashtu faqen zyrtare të zhvilluesit për informacione të reja.
  • Përditësoni të gjithë softuerët, jo vetëm sistemin operativ: Mos lini pas dore programe si antivirusët, shfletuesit, aplikacionet e zyrës, lojërat apo shtesat (plug-ins). Edhe firmware-i i pajisjes duhet të përditësohet, pasi ndikon në funksionimin bazë të saj.
Çfarë janë përditësimet mashtruese?

Mashtrimet me përditësime janë sulme ku hakerët përpiqen t’ju mashtrojnë të shkarkoni një skedar të dëmshëm që paraqitet si përditësim zyrtar. Zakonisht ndodhin kur vizitoni një faqe të kompromentuar, dhe aty shfaqet një dritare që ju thotë se softueri juaj është i vjetruar dhe duhet përditësuar urgjentisht. Por në vend të përditësimit të vërtetë, ju mund të shkarkoni një virus, ransomware apo spyware që dëmton pajisjen tuaj ose vjedh të dhënat tuaja.

Këto mashtrime mund të shfaqen për çdo lloj programi: shfletues, sisteme operative, antivirusë, media player, etj.

Si të shmangni përditësimet mashtruese?

Shkarkoni përditësime vetëm nga burime të sigurta
Përdorni gjithmonë kanalet zyrtare për përditësime, si faqet zyrtare apo opsionet “Check for Updates” brenda aplikacionit.

Disa këshilla specifike për softuerë të njohur:

  • Shfletuesit e internetit zakonisht përditësohen automatikisht. Mund të kontrolloni manualisht nga menyja “Help” ose “Settings”.

  • Sistemet operative si Windows apo macOS ofrojnë përditësime automatike, por mund t’i kontrolloni edhe vetë nga “Settings”.

  • Aplikacione të tjera mund të ju njoftojnë për përditësime me dritare pop-up ose kërkojnë që të shkoni në faqen e tyre zyrtare.

Si të dalloni një përditësim mashtrues?

Ndonjëherë mund të jetë e vështirë të dallosh nëse një përditësim është i vërtetë apo jo, sidomos kur ngjan shumë me faqen zyrtare. Megjithatë, ka disa shenja që mund t’ju ndihmojnë të identifikoni mashtrimet me përditësime të rreme dhe t’i shmangni ato. Ja disa prej tyre:

Shenjat që tregojnë një përditësim të rremë:

  • Adresa e faqes (URL) nuk përputhet me domenin zyrtar të zhvilluesit. P.sh., një adresë si windows-update.com është mashtruese.

  • Përdoret gjuhë e dobët, gabime drejtshkrimore ose formatim jo profesional.

  • Ju kërkohet të shkarkoni një skedar .exe, .msi ose .dmg pa ju drejtuar në faqen zyrtare.

  • Përdoret gjuhë frikësuese që ju shtyn të klikoni menjëherë.

  • Ofron programe shtesë që nuk lidhen fare me aplikacionin që keni.

Nëse hasni ndonjë nga këto sinjale, mos klikoni asgjë dhe mbyllni menjëherë faqen. Më pas, kryeni një skanim me antivirus për të kontrolluar nëse pajisja është infektuar.

Burimi: uidaho.edu

iTeam